Monday, 25th June 2018
25 June 2018

Unë jam këtu për ty. Çfarë duhet t’u themi atyre që po kalojnë nëpër kohë të vështira

Daniel Amos vite më parë krijoi një faqe në Facebook, në të cilën nisi të shpërndante video dhe foto për të qeshur. Pastaj, vite më vonë, ai e ndryshoi komplet përmbajtjen e faqes që mbante emrin e tij real, duke shpërndarë postime frymëzuese dhe fjalime inkurajuese të tij për të frymëzuar njerëzit anembanë botës. Tashmë, faqja e tij ka miliona ndjekës dhe mendohet se suksesin e ka pasur pikërisht për shkak videove personale me mesazhe vërtet frymëzuese. Një nga më të bukurat mbetet videoja që mban titullin “Çfarë t’i themi dikujt që po kalon nëpër një periudhë të vështirë të jetës së tij?”. Fjalët e tij janë si më poshtë:

“Nëse ne njohim dikë që po kalon nëpër një periudhë të vështirë në jetën e tij, natyrisht ne duam t’i inkurajojmë ata duke u thënë fjalë të tipit “Gjithçka do të shkojë mirë.

Gjërat do të ndryshojnë për mirë”. Ndonjëherë, por jo gjithmonë, këto janë fjalë jo shumë të përshtatshme për këtë situatë. Sepse kur dikush është në një gjendje depresioni, ankthi, dhimbjeje shpirtërore, sado të mira t’i keni qëllimet tuaja dhe sado të doni t’i inkurajoni, ata gjithsesi e ndiejnë se gjërat nuk janë duke shkuar mirë dhe mendojnë se as që kanë për të shkuar mirë. Ata mendojnë se për ne është shumë e thjeshtë t’i themi fjalë të tilla, sepse nuk po i kalojmë ne ato situata, ndaj ata ndihen sikur ne nuk i kuptojmë. Ndaj, lind natyrshëm pyetja “Çfarë t’i them unë dikujt që po kalon nëpër një periudhë të vështirë; që ka humbur dikë që donte; që është zhytur thellë në ankth dhe depresion?”. Ndaj përgjigja e duhur sipas meje, përbëhet vetëm nga pesë fjalë “Unë jam këtu për ty”. Nuk ka rëndësi të gjesh fjalë të mëdha për të krijuar përshtypje. Të tjerëve duhet thjesht t’i ofrosh mbështetjen tënde për çdo problem, në të cilin po kalojnë.

Personat që po kalojnë në vështirësi, duan thjesht të dinë se dikush është atje për ta, kur ata janë duke kaluar në vështirësi, sepse nuk ka asgjë më të tmerrshme, se sa të kalosh nëpër diçka të rëndë i vetëm. Ndaj, nëse ti njeh dikë që po kalon në vështirësi, unë dua të të nxis që të shkosh e ta përqafosh, si dhe t’i thuash “E di çfarë? Unë të dua, unë merakosem për ty dhe unë jam këtu për ty. Nëse ka diçka me të cilën mund të të vij në ndihmë, më thuaj”. Kjo është gjëja më inkurajuese dhe më e bukur që ti mund të bësh për dikë që është duke kaluar nëpër një situatë të dhimbshme të jetës së tij”.