Tuesday, 17th July 2018
17 July 2018

Ti vlen! Mos lejo asnjë të të thotë të kundërtën

Mos u dëshpëro! Edhe unë e dua botën e internetit ashtu si ty, ama kam kuptuar se sa joreale është ajo botë. Ti mërzitesh se sa perfekte duket jeta e të tjerëve dhe sa e komplikuar duket jeta jote, krahasuar me jetën e tyre. Nuk është aspak kështu. Ajo çfarë na prezantohet në botën online, është thjesht prapaskena e jetës së personave që njohim. Asnjë nuk zgjedh të postojë një foto duke qarë, apo të shpërndajë jetën e vet ashtu siç ajo i paraqitet, me frikërat, dyshimet dhe me të këqijat e saj.

Nuk është vetëm jeta jote me probleme. Të gjithë kanë halle që u duken të mëdha e të rëndësishme, por duke parë foton online, unë dua që të reflektosh për të ardhmen tënde. Ashtu e do ti realitetin tënd? Të mbushur me falsitet? Ti ke plot probleme dhe unë dua që të përpiqesh me gjithë forcat e tua për t’i zgjidhur ato. Harroje të djeshmen. Harroje të shkuarën. Harroji dështimet në përpjekjet e tua të mëparshme. E sotmja vlen më shumë se çdo ditë tjetër, ndaj motivoje veten për ta nisur ditën me optimizëm. Zërat e të tjerëve kanë rëndësi, por jo aq shumë sa ka rëndësi ajo çfarë ti i thua vetes tënde.

Nëse e sheh veten në pasqyrë dhe mendon se je një person i pavlerë, se askush nuk të do dhe se nuk ke korrur aspak sukses në jetë, atëherë unë të them se gabohesh plotësisht. Ti je unik/e dhe jeta jote vlen shumë për gjithë familjarët dhe miqtë e tu më të mirë që nuk mund të jetonin pa ty në jetën e tyre. Ti nuk je opinioni i gabuar që ka dikush për ty. Ti nuk je i destinuar për dështime, sepse nuk ka dështak më të madh, se ai që nuk përpiqet. Ti je përkufizimi i bukurisë, zgjuarsisë dhe guximit. Ti nuk je nga ata persona që pëlqejnë të ulen dhe të presin që gjërat e mira të vijnë vetë në jetë.

Jo! Nëse po e pret këtë gjë, sërish gabohesh. Asgjë e mirë nuk vjen vetë, nëse nuk ngrihesh dhe lufton për ta arritur atë. Në betejat më të mëdha të jetës tënde, përpiqu të mbulosh plagët e tua dhe të vazhdosh përpara më i/e fortë. Sepse ato plagë të mësuan diçka. Ti nuk ke për t’u goditur sërish nga të njejtat gabime.

Unë kam kuptuar se nuk ka rëndësi të qenurit perfekt, por të ndjerit perfekt. Vish rrobat e tua më të bukura, fillo të buzëqeshësh me shpirt dhe hidhe prapa krahëve të shkuarën. Ke bërë gabime, por nuk ka mbi këtë tokë persona që nuk gabojnë.

Dhe në fund, kurrë mos e harro se çdo betejë të bën më të fortë. Dobësia që ndjen tani, është e përkohshme. Ti ke brenda vetes gjithë mundësitë e duhura për të qenë personi që do të jesh. Thjesht ngrihu nga vendi ku po qëndron dhe fillo ta jetosh jetën me gjithë intensitetin që ajo kërkon. Ti mundesh dhe do t’ia dalësh! Unë besoj tek ty. / f.xh. /bota. al