Wednesday, 19th September 2018
19 September 2018

Si të reagoni kur ushqimi u bie nga dora

Nëse mendoni se ushqimin që ka rënë në tokë dhe e keni kapur menjëherë e keni të sigurt, gaboheni.

Sipas një studimi të kryer nga Rutgers University, disa ushqime kontaminohen brenda më pak se një sekonde.

Studiuesit kanë testuar katër sipërfaqe të prekura nga një bakter i ngjashëm me salmonelën. Sipërfaqet e testuara janë çeliku, qeramika, druri dhe një tapet i ngjashëm me ata që përdorim në shtëpi. Ndërsa ushqimet e testuara janë shalqi, bukë, gjalpë dhe karamele.

Ato janë lënë mbi këto sipërfaqe për 1, 5, 30 dhe 300 sekonda. Në shumë prej rasteve është vënë re se kontaminimi ndodh brenda 1 sekonde.

I tillë është rasti i shalqirit, i cili i thith bakteret më shpejt, ndërsa karamelet me përbërje xhelatine rezistojnë më gjatë.

Transferimi i baktereve nga sipërfaqja te ushqimi ndikohet në radhë të parë nga lagështira. Bakteret lëvizin nëpërmjet lagështirës, pra sa më i lagësht të jetë ushqimi, aq më i madh rreziku i kontaminimit.

Çuditërisht, studimi ka nxjerrë se tapeti ka një rrezik kontaminimi më të ulët se sipërfaqet e çelikut dhe qeramikës, ndërsa në rastin e drurit, varet nga kushtet në të cilat ndodhet.