Tuesday, 20th February 2018
20 February 2018

Përse mendjet më brilante kanë nevojë për vetmi?

Kushdo që nuk arrin të qëndrojë vetëm nuk zhvillon dot talente. Studime të shumta kanë treguar se vetmia qëndron në bazë të krijueshmërisë, të shpikjes dhe të lidershipit

Gjithnjë e më shumë studime të kryera nga ekspertë të sociologjisë dhe psikologjisë konfirmojnë se qëndrimi vetëm është privilegj thelbësor i mendjeve më brilante dhe krijuese. Në këtë mënyrë shpjegohet se përse shumë drejtues e liderë përfundojnë duke bërë një jetë beqarësh dhe se pse pjesa më e madhe e gjenive të mëdhenj të historisë i kanë bërë zbulimet e tyre në një dhomë të mbyllur e të errët. Në vetmi perfekte.

Jetesa vetëm, në disa mënyra, parandalon, siç është e qartë, “fërkimet” dhe lejon menaxhimin në vetmi të hapësirës dhe të kohës; ajo e menaxhimit të shtëpisë nuk është fusha e vetme nga e cila mund të përfitonit nga të qenët vetëm.

Sipas sociologut Eric Klinenberg, nga Universiteti i Nju Jorkut, të jetuarit vetëm do të thotë edhe shijim i marrëdhënieve cilësore, sepse për pjesën më të madhe të beqarëve është e qartë se “të qenët vetëm është më mirë se të qenët të keqshoqëruar”.

Ekzistojnë edhe studime të tjera, të cilat thonë se vetmia lehtëson zhvillimin e ndjeshmërisë.

Një tjetër sociolog, Erin Cornwell, nga Universiteti Cornell i Itakës (Nju Jork), pas disa analizave ka thënë se, ka shumë mundësi që personat në moshën mbi 35 vjeç, të cilët jetojnë vetëm, dalim më shpesh me miqtë e tyre në krahasim me ata të cilët tashmë e kanë një partnere / partner.

Kjo gjë ndodh edhe për personat e moshuar, të cilët jetojnë vetëm: kanë një rrjet social të gjerë.

Ky është përfundimi i arritur nga studimi i kryer prej sociologut Benjamin Cornwell dhe i botuar në “American Sociological Review”.

Por më befasuesja nga të gjitha duket se është fakti se vetmia qëndron në bazë të krijueshmërisë dhe të shpikjes.

Njerëzit janë qenie sociale, por pasi kanë kaluar ditën të rrethuar nga njerëzit, nga një mbledhje në tjetrën, të lidhur me rrjetet sociale dhe me “telefonat e zgjuar”, vetmia u ofron një hapësirë për një relaks regjenerues.

Por edhe më befasuese është se vetmia qëndron në bazë të krijueshmërisë, të shpikjes dhe të lidershipit.

Një studim i 1994-s i kryer nga Mihaly Csikszentmihalyi (psikologu i madh i lumturisë) ka thënë se adoleshentët, të cilët nuk e durojnë dot vetminë, nuk janë në gjendje të zhvillojnë talentin kreativ.

Susan Cain, autorja e librit “Quiet: The Power of Introverts in a World That Can’t Stop Talking” (Qetësia: fuqia e introvertëve në një botë ku nuk mund të pushojnë së foluri), e mbron pasurinë krijuese, e cila vjen nga vetmia, ndërsa reklamon për të mirën e të gjithëve, praktikën introverte.

“Më kanë thënë gjithmonë se duhet të tregohem më e hapur, por kam kuptuar se të qenët introvert nuk është aspak një gjë negative. Kështu, për vite me radhë kam shkuar në bare ‘mbytëse’, ashtu siç shumë introvertë bëjnë, me një humbje të krijimtarisë dhe të lidershipit që shoqëria jonë nuk mund ta lejojë. Vetmia është përbërësi thelbësor i krijueshmërisë. Darvin bënte shëtitje të gjata në pyje dhe absolutisht nuk i pranonte ftesat për festa. Ndërsa Steve Wozniak shpiku kompjuterin e parë Apple i mbyllur tërësisht në dhomëzën tij.”

Ndërsa shton se: “Shoqëritë perëndimore e kanë harruar fuqinë e jetës medituese. Le ta ndalim modën e të punuarit në grup, në ndonjë rast. Shkoni në ‘shkretëtirë’ për të pasur intuita personale”.