Monday, 25th June 2018
25 June 2018

Një gjë që gjithmonë kemi dashur ta dijmë: Si funksionon truri i një egoisti pa skrupuj

Disa individë nuk frenohen aspak përballë mundësisë për të përftuar një avantazh, i cili në të njëjtën kohë dhe në mënyrë eksplicite, dëmton një person tjetër. Kemi prirjen t’i quajmë egoistë, apo me një term më “shkencor”, makiavelistë. Për ta ekziston tashmë një literaturë e tërë që përqëndrohet në faktorët socialë, konjitivë dhe nervorë. Studimi më i fundit në rend kohor, vepër e një grupi studiuesish të Universitetit të Pec në Hungari, dhe i botuar në “Brain and Cognition”, përpiqet të hedhë dritë mbi funksionimin e trurit të tyre.

KUSH JANE MAKIAVELISTET

Premisa bazë është që njerëzit normalisht i njohin aktet e kortezisë apo të korrektësisë dhe përgjigjen në mënyrë koherente ndaj tyre; nëse veprojnë në mënyrë të kundërt, e dinë që kanë bërë një gjë jo korrekte. Makiavelistët, ndonëse e njohin një akt mirësjelljeje, nuk ndihen të detyruar në asnjë mënyrë, përkundrazi kanë prirjen që të përfitojnë me qëllim që të sigurojnë përfitimin maksimal për vetvete.

EKSPERIMENTI

Për të analizuar këtë lloj sjelljeje, studiuesit hungarezë kanë mbledhur disa studentë me shkallë të ndryshme sjelljeje makiaveliste, duke u kërkuar që të ndërveprojnë ekonomikisht me një person (le ta quajmë malli x).

Studentët ishin të bindur se X ishte një person me mish e me kocka, por në të vërtetë bëhej fjalë për një kompjuter, i përdorur për të mos lejuar që një faktor njerëzor jashtë studentëve të ndikonte në të dhënat e mbledhura.

FAZA 1 E EKSPERIMENTIT

Në fazën e parë të eksperimentit, studentëve iu dha një sasi e vogël parash. Secili duhej të vendoste se sa do i jepte X-it, duke ditur që ajo shumë do të trefishohej në momentin e dhënies dhe që një pjesë do të rikthehej pas, për shumën që kthehej pas i lihej në dorë X-it. Në fazën e programimit të X-it, studiuesit kishin vendosur që ai do të zgjidhte në mënyrë krejt rastësore, nëse do të duhej të kthente sasinë e duhur të parave, apo jo sasinë e duhur (ose më saktë, shumë më pak nga sa i ishin dhënë hua).

FAZA 2 E EKSPERIMENTIT

Në një moment të dytë, situata u përmbys: studentët merrnin para nga X-i (gjithnjë duke menduar se ndërvepronin me një person të gjallë), dhe atyre iu kërkua të vendosin se sa do të rikthenin. Në këtë mënyrë, atyre iu dha mundësia që të ndëshkonin sjelljen e pandershme, apo të shkëmbenin ndershmërinë.

REZULTATET

Gjatë eksperimentit u vu re se, përballë një sjelljeje të pandershme, të gjithë studentët e kthenin pak a shumë me të njëjtën monedhë. Në rastin e një sjelljeje të ndershme, makiavelistët kishin prirjen të mos kthenin aspak dhe për këtë arsye, në fund u gjendën me më shumë para.

FUNKSIONIMI I TRURIT

Studiuesit vunë re se ky ndryshim në sjellje kishte një korrespondues në veprimtarinë e trurit: tek rasti i makiavelistëve, kjo veprimtari rritej dukshëm përballë një sjelljeje të ndershme, ndërsa për jo makiavelistët ndodhte ekzaktësisht e kundërta.

Duke vëzhguar më nga afër zonat e trurit që lidhen me veprimtarinë e neuroneve, u pa që veprimtaria e makiavelistëve lidhet më shumë me zonat që kontrollojnë frenimin dhe krijueshmërinë. Deduksioni është që, përballë një sjelljeje të ndershme, makiavelistët frenojnë instiktin e kthimit po me ndershmëri dhe në të njëjtën kohë, përpiqen të llogarisin si të nxjerrin sa më shumë përfitim nga situata.

KOnkluzione të tillë nuk shihen me sy të mirë nga të gjithë shkencëtarët: disa nuk e pranojnë vlefshmërinë e të ashtuquajturit “konkluzioni i kundërt”, apo më saktë, arsyetimin përmes të cilit, duke parë aktivizimin e një zone të caktuar të trurit, konkludohet që është në veprim një aftësi e caktuar konjitive.

Megjithatë, rezultatet e këtij studimi konfirmojnë studimet e mëparshëm. Për shembull, studimet psikologjike kanë nxjerrë në pah se makiavelistët kanë dhembshuri të mangët, dhe kontrollojnë vazhdimisht të tjerët për të shfrytëzuar situatën në avantazhin e tyre. Edhe një tjetër studim neuroimazherie kishte arritur në konkluzionin se makiavelistët janë gjithmonë në kërkim të mënyrave për të shfrytëzuar të tjerët.

Atëherë? Rezultatet e rinj na sugjerojnë si të sillemi me egoistët më të pandjeshëm. Nëse jemi të sjellshëm, korrektë dhe bashkëpunojmë, të paktën ua bëjmë jetën më të vështirë, duke qenë se i çbilancojmë teksa kërkojnë të gjejnë mënyrën më të mirë për të përfituar prej nesh. Sigurisht, duhet edhe të mbrohemi, dhe të mos na e hedhin. Por kjo është tjetër histori.