Saturday, 21st April 2018
21 April 2018

Mos iu tremb lumturisë, përkundrazi. Lufto dhe bëj të pamundurën për ta arritur atë.

Me shumë mundësi edhe ti ke kaluar nëpër marrëdhënie toksike dhe nuk e ke provuar për një kohë të gjatë lumturinë, saqë kur ajo vjen, nuk e kupton as se çfarë po të ndodh, apo se si të reagosh. Ke harruar se lumturia e përkohshme është shumë larg lumturisë së vërtetë. Kur arrin dita dhe ndodh gjithçka që zemra e ka dëshiruar prej kohësh, truri “dorëzohet” dhe fillon të ndihesh i/e humbur, saqë mendon se “Është shumë për mua. Ndoshta është një ëndërr. Unë nuk e meritoj këtë që po përjetoj”, sikur të mos e meritosh vërtet atë që jeta ta ofron falas. Njerëzit më të mirë në jetë dhe ndjesitë më të bukura të jepen falas.

Mirëpo në të shkuarën ti je lënduar shumë dhe mendon se historia do të përsëritet, se diçka tjetër do të ndodhë përsëri dhe do të lëndohesh njësoj, ose ndoshta më tepër se më parë. Ke frikë të përfshihesh në një ndjenjë të re nga frika e lëndimit…

Por duhet të kuptosh se çdo gjë të ndodh për një qëllim të caktuar në jetë. Nëse je lënduar, kjo ka ndodhur, sepse duhet të bëheshe më i/e fortë dhe të mësoje se në jetë duhet të forcohesh për t’ia dalë mbanë sfidave të saj. Nëse je zhgënjyer nga dikush, kjo ka ndodhur, sepse duhet të kuptoje se jo të gjithë do të jenë pranë teje përherë. Ka edhe njerëz të përkohshëm.

Mirëpo nëse të falet dy herë e njëjta gjë, dije se e para mund të ketë qenë e përkohshme për të të dhënë një mësim, ama hera e dytë ka ndodhur me shumë mundësi për të zgjatur në kohë. Ndaj, mos ia moho vetes lumturinë. Të shkuarën hidhe pas krahëve dhe jeto të tashmen. Nëse të është falur një moment lumturie, shfrytëzoje. Mbaj mend që të falen vetëm gjërat që i meriton dhe përderisa je duke përjetuar lumturi, ti e meriton atë. Nëse do kishe bërë keq, do të meritoje të gjeje keq dhe Zoti është i drejtë. Ai i jep kujtdo aq sa meriton. Ka njerëz që vdesin pa e ditur se çfarë është lumturia e vërtetë, ndërsa ty të falet dhe mendon ta refuzosh? Kështu që, ji i/e lumtur. Shijoje të tashmen në maksimum, sepse ti meriton çdo gjë që të falet. Mos iu tremb lumturisë, përkundrazi. Lufto dhe bëj të pamundurën për ta arritur atë.