Wednesday, 19th September 2018
19 September 2018

Merre jetën me seriozitet. Asnjë ditë që ikën, nuk të kthehet sërish

Nëse je personi që pëlqen të bëjë rolin e viktimës dhe të thotë vazhdimisht: “Gjërat e këqija më ndodhin vetëm mua”, “Nuk jam atje ku dua të jem për shkak të atij personi apo asaj gjëje”, dije se nuk ke për të ecur shumë në jetë. Ta marrësh jetën me seriozitet nuk do të thotë t’i shmangesh personave apo gjërave të tilla, por t’i pranosh ato ashtu siç janë dhe të bësh mjaftueshëm nga vetja për t’i larguar ata persona apo ato gjëra nga jeta jote.

Do të thotë të pranosh se ke qënë ti problemi se pse gjërat negative të kanë ndodhur në jetë, sepse duhet të veproje në vend që të ankoheshe dhe të mos bëje asgjë për ta ndryshuar realitetin tënd. Pyete veten se çfarë duhet të bësh për ta zgjidhur problemin që ke. Mendo një herë se çfarë po bëjnë njerëzit e suksesshëm në kohën që ti je duke shpërdoruar kohën tënde.

Asnjë person i suksesshëm nuk i humbet kot minutat e jetës së vet dhe aq më tepër, nuk e luan rolin e viktimës. Ata përqendrohen tek ajo çfarë duhet të bëjnë sot në mënyrë që të kenë një të nesërme më të mirë.

Të kapesh pas inateve dhe ndjesive negative të së shkuarës, nuk do të ndihmojë të dalësh nga situata e vështirë që po kalon. E di se çfarë duhet të bësh? Të planifikosh se çfarë duhet të bësh për të korrur sukses. Shkruaji synimet që ke në jetë. Shkruaji diku objektivat që i ke vendosur vetes. Thoji vetes: “Nuk duhet t’i fajësoj të tjerët për gjërat që më ndodhin. E shkuara ka ikur, ndaj nuk duhet të kapem pas saj, por të eci përpara në jetë. Duhet të bëj çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme, me çfarëdo kusht”.

Zgjidh suksesin. Zgjidh të tregosh karakter. Zgjidh të jesh krenar për jetën tënde. Bëje këtë duke i pranuar përgjegjësitë që ke. Bëje këtë duke e marrë jetën seriozisht. Ti je në pozitën që je aktualisht, për shkak të vendimeve që i ke marrë vetë ti. Ti je i vetmi përgjegjës dhe i vetmi që mund ta përmirësojë jetën tënde. Mjaft luajte rolin e viktimës. Nuk është faji i askujt për dështimet e tua. Është faji yt.

Fjalim i lojtarit të basketbollit Chris Ross /bota. al