Saturday, 18th August 2018
18 August 2018

Çfarë është depresioni pranveror

Moti i mire na lajmëron për ardhjen e pranverës, por për disa, nuk është një moment i gëzuar, e për shumëkënd mund të jetë periudha e përsëritur e një ndjesie të vështirë emocionale. Me ndryshimin e stinëve edhe humori i njeriut ndryshon. Rritja e temperaturave, prania e madhe e rrezeve të diellit, çelja e luleve…bën që njerëzit të kenë luhatje emocionale. Fillimi i muajit mars është edhe periudha ku më së shumti shfaqet një prej patologjive më të shpeshta të individëve, depresioni. Duke qenë se këto çrregullime, vijnë pikërisht në këtë stinë, fenomeni ka marrë edhe emrin depresion stinor. Ardhja e pranverës për shumë persona shoqërohet me apati, lodhje, dobësi e përgjithshme trupore, mungesë oreksi etj. Simptoma këto që në popull i atribuohen të ashtuquajturës “periudhë e ndërrimit të gjakut”. E ndjen veten të pashpresë, të pa vlerë, je i lodhur apo ndihesh i padobishëm? Mos u shqetëso, pasi nuk je i vetëm në këtë drejtim. Sipas mjekëve janë të shumtë njerëzit që kanë këto ndjesi në këtë periudhë kohe.

Për të folur mbi këtë temë, kemi ftuar sot në Dita” specialisten e shëndetit mendor pranë Institutit të Shëndetit Publik, Oriola Pampuri. Për të është një fenomen i njohur. Specialistja na tregon se si ta kuptojmë që jemi prekur nga “depresioni pranveror” dhe na jep disa këshilla se si ta kalojmë më lehtë këtë gjendje.

Oriola, si përjetojmë stinët nga gjendja emocionale, ndryshon humori jonë në varësi të tyre?

oriola fotoPo, dhe kjo është e vërtetuar tashmë. Shi apo diell, mjafton vetëm kaq për të nxitur luhatjet e humorit dhe dëshpërimin tek disa njerëz. Një studim i fundit i udhëhequr nga hulumtues në Universitetin e Utrecht ka studiuar modele të ndryshme të humorit të lidhura ngushtë me kushtet e motit.

Sapo jemi future në pranverë, cilat janë karakteristikat e kësaj stinë që i gjejmë tek njerëzit ?

Çrregullimi afektiv sezonal, është një formë e përsëritur e depresionit ku simptomat shfaqen dhe zhduken thuajse në të njëjtën kohë çdo vit . Në mënyrë tipike , ato fillojnë në vjeshtë ose në dimër dhe në pranverë largohen, por ja që ka dhe individë që ndryshimet dhe bukuritë që natyra rezervon në pranverë i shndërrojnë në çrregullime që cenojnë humorin e tyre. Simptomat e përbashkëta të çrregullimeve të humorit përfshijnë pagjumësi, nervozizëm, oreks të dobët , dhe humbje peshe . Është menduar që kjo formë e depresionit mund të jetë një reagim ndaj ngrohjes dhe lagështirës së lartë.

Në cilën gjendje të çon kjo kohë e vitit?

Në fakt pranvera është menduar të jetë koha e gëzimit dhe lulëzimit, por ka disa njerëz që nuk mund t’i gëzohen të tilla ndryshimeve, kjo për shkak të pamundësisë për t’i ndjerë ato si pasojë e çrregullimeve të humorit të tyre. Nëse ju jeni pjesë e këtij target-grupi atëherë i vetmi ngushëllim që mund të merrni do të ishte: “Ju nuk jeni vetëm”, por mos hezitoni të kërkoni ndihmë, nëse jeni duke luftuar me gjendjen tuaj. Për disa njerëz, muaji prill nuk sjell vetëm lule, por edhe një vizitë tek terapisti apo një recetë me ilaçe kundër depresionit. Për disa njerëz, ndryshimi sezonal sjell me vete diçka më të rëndë se sa dëshpërimi: çrregullimi emocional sezonal, është një formë e depresionit që mund të ketë pasoja të rënda. Format e lehta të këtij çrregullimi prekin më shumë se 20% të personave në Shtetet e Bashkuara.

Bëhet njeriu më emocional në këtë kohë?

Çdo njeri ka emocione. Ato janë pjesë e përvojës njerëzore dhe ne duhet të jemi mirënjohës për këto emocione edhe kur ato na shkaktojnë dhimbje ose na shkaktojnë situata të pakëndshme . Askush nuk pëlqen të ndjejë emocione të tilla si humbje, hidhërim apo zemërim, por ne duhet të kuptojmë që jeta, duhet të përqafojë të gjitha aspektet e përvojës sonë njerëzore, duke përfshirë edhe emocionet e pakëndshme. Pranvera është koha, kur njerëzit shpalosin energjitë e tyre në rritje. Ndryshimet tuaja jetike të energjisë ndodhin minutë pas minute, orë pas ore, ditë pas dite , muaj pas muaji, sezon pas sezoni dhe viti pas viti . Ka një cikël natyror të energjisë që ka nevojë për të ndodhë apo të rrjedhë . Kur ju jeni të mbërthyer në një pjesë të ciklit, atëherë shëndetin juaj është i cënuar. Mendoni se si energjia juaj është e lidhur me emocionet tuaja. Kur ju keni shumë energji ju jeni përgjithësisht mjaft i lumtur. Ju ndjeheni mirë, kur trupi dhe mendja juaj kanë energji pozitive . Çdo sezon ka një emocion dhe një lidhje të fortë me organet dhe funksionet e tyre në trupin tuaj Emocionet tuaja ndryshojnë në varësi të ndryshimit të stinëve.

Ku është burimi i kësaj gjendje të çuditshme, që ndryshon në varësi të stinës”?

Shkencëtarët supozojnë se është hormoni i melatoninës. Melatonina, që është produkt i hipofizës, sinkronizon anën tonë biologjike në varësi të fuqisë së dritës që e pranon syri ynë, pra, bën rregullimin e ritmit ciklik ditë-natë. Çdo çekuilibrim në këtë fushë përcillet me ndryshime të lehta të gjendjes shpirtërore, të quajtura “depresion stinor”. Në fakt ky çrregullim emocional stinor, përfshin të gjitha racat, kulturat dhe vendet, pasi ashtu sikurse u përmend edhe më lart është çështje biologjike dhe jo kulturore, kështu jemi të rriskuar të gjithë. E rëndësishme është të jemi në dijeni me shqetësimet dhe çrregullimet që mbart, pasi duke qenë në dijeni dhe duke i njohur më mirë jemi më të aftë të përballemi, mbrohemi dhe kurohemi.

Simptomat

Të prekur, personat e ndjeshëm

Çrregullimi emocional sezonal, mund të ketë disa apo edhe të njëjtat simptoma si të depresionit . Shumica e njerëzve kanë vetëm disa nga këto simptoma, të përmendura më poshtë, jo të gjitha .

1. Humbje e interesit për tu përfshirë në aktivitete

2. Lodhje apo humbje e energjisë

3. Ndjenja e të qenit i pavlerë ose i pashpresë

4. Përqendrimi i dobët, apo pavendosmëri

Simptomat e çrregullimit sezonal të humorit rikthehen çdo vit kryesisht tek personat më të ndjeshëm, dhe kanë tendencë të rikthehen në të njëjtën kohë çdo vit.

Si të menaxhoni simptomat e çrregullimit emocional stinor

Simptomat e gjendjeve të lehta depresive, që quhen “depresione stinore”?

a. Plogështia psikike e fizike.

b. Lodhja e pabazë.

c. Dëshira e madhe për gjumë.

d. Shmangia e aktiviteteve të zakonshme.

e. Humbja e interesit për shoqërim etj.

Çfarë duhet të bëjmë?

1. Shfrytëzoni diellin e kësaj periudhe për të përfituar nga rrezet e tij.

2. Kryeni aktivitete fizike ose shëtisni në ajër të pastër.

3. Konsultohuni me mjekun tuaj nëse simptomat e këtij çrregullimi janë të vazhdueshme përditshme.

4. Medikamentet mund të jenë një mjet i vlefshëm për të luftuar depresionin, nëse vërtetojmë një gjendje të tillë, kështu nuk duhet t’i neglizhojmë.

Një kërcënim i rëndësishëm që shkaktohet si pasojë e çrregullimit emocional stinor kronik i pa kuruar apo i neglizhuar është edhe depresioni stinor.