Thursday, 20th September 2018
20 September 2018

Bëni disa ndryshime në jetën tuaj

Ka disa veprime që mund t’i bëjmë çdo ditë, veçanërisht gjatë orëve të para të mëngjesit, kur sapo zgjohemi, për të pasur një trup të shëndetshëm, një mendje të fortë dhe një metabolizëm që nuk preket nga sëmundjet e ndryshme që qarkullojnë.

Shtrihuni

Mund të mendoni se pas një gjumi të mirë gjatë natës, në mëngjes mund të ndiheni të freskët dhe plot me energji e të gatshëm për të nisur ditën, por edhe qetësia e një nate të mirë mund të ndikojë ndjeshëm, nëse ju nuk bëni ushtrimet e duhura për trupin dhe organizmin. Bëni mirë që në mëngjes, sapo zgjoheni, të shtriqeni, në mënyrë që të stimuloni muskujt të zgjohen nga gjumi dhe të nisnin aktivitetin normal. Shtriqja lejon gjakun të rrjedhë dhe redukton stresin e tensionin.

Zgjohuni në kohë

Bëni mirë të vendosni alarmin 10 minuta përpara kohës në të cilën doni të zgjoheni. Është shumë e rëndësishme të mos e teproni me fjetjen dhe as të mos flini më pak seç duhet.

Krijoni një orë të brendshme

A e dini se kur ju udhëtoni, ora e trupit vijon të ngelet e sinkronizuar me orën e vendit ku ju zhvilloni aktivitetin tuaj në përditshmëri, me lindjen e diellit e deri në perëndimin e tij? Mirëpo, ka disa raste, kur njerëzit janë shumë përtacë, që ora e tyre e brendshme nuk përkon me orën lokale të vendit ku ata jetojnë. Një kërkim shkencor i realizuar në Harvard Medical School ka zbuluar se të gjithë ata që flenë më shumë se nëntë orë çdo natë, sekretojnë më shumë hormonin melatoninë se sa ata që flenë 6 orë dhe më pak.

Konsumoni një gotë me ujë me limon

Kujdesuni për sistemin tuaj tretës dhe konsumoni një gotë me ujë me limon çdo mëngjes. Ky zakon bën që të nxiten aftësitë tretëse të organizmit dhe trupi pastrohet, duke rivendosur në nivelin e duhur pehashin, çka do të thotë më pak acid në trup, i cili eliminon rrezikun e prekjes nga çdo lloj sëmundje.

Bëni disa ushtrime çdo mëngjes

Bëni mirë që çdo mëngjes të kryeni disa ushtrime të mira për trupin tuaj. Mbani shënim se si do të ndiheni përpara dhe pas ushtrimeve që do të bëni. Ushtrimet fizike do t’ju japin energji mjaftueshëm. Nëpërmjet aktivitetit fizik, gjaku nis të qarkullojë dhe trupi fillon të zgjohet.

Lexoni në shtrat

Për të fjetur mirë, këshillohet të mbani teknologjinë larg nga dhoma e gjumit. Drita e ekranit mund t’ju stimulojë që të rrini zgjuar sikurse edhe stresi i punës. Leximi i lajmeve apo i ndonjë libri është një mënyrë shumë e mirë për të lodhur trurin dhe për të fjetur lehtësisht.

Hani një mëngjes të pasur me hekur

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Për këtë nuk ka askush asnjë dyshim. Nëse mëngjesi juaj është i pasur me hekur, të jeni të bindur se do të jeni një njeri që do të ketë pafund energji. Mungesa e hekurit mund t’ju bëjë të ndiheni pa fuqi, të dobët, të acaroheni shpejt dhe pa dyshim, të keni mungesë përqendrimi. Sigurohuni që mëngjesi juaj të përmbajë vezë, perime të gjelbra, gjalpë etj. Pini pak lëng portokalli, i cili është i pasur me vitaminën C dhe që ndihmon në absorbimin e hekurit.

Vishuni si të ndiheni më rehat

Pavarësisht vendit se ku punoni, këshillohet që të gjeni një veshje të përshtatshme dhe që ju bën të ndiheni rehat. Është shumë e rëndësishme që të ndiheni e të jeni sa më praktik në vendin e punës, apo në ambientet e shkollës, nëse ende e frekuentoni atë. Në këtë mënyrë do të jeni shumë herë më shumë produktivë.

Qetësohuni dhe meditoni

Një mendje e qetë do t’ju lejojë të jeni më të përqendruar dhe të merrni me më shumë seriozitet gjithçka që duhet të bëni. Ju nuk do të mund të jeni të aftë të zgjidhni problemet që ju shfaqen gjatë ditës në punë apo në shtëpi, nëse nuk keni një mendje të qetë. Këshillohet që të meditoni të paktën 5 minuta çdo mëngjes.

Mos flini shumë gjatë në fundjavë

Nëse është e Shtunë apo e Diel, mos përfitoni nga rasti të zgjoheni në mesditë. Vijoni rutinën tuaj të zgjimit, pavarësisht nëse është ditë jave apo ndonjë ditë tjetër. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të jeni produktivë të Hënën.